Tregoi Dibra se janë shitur zgjedhjet e 2017 tek “rilindja”?

Për fat të keq nuk ka çudi në këtë humbjen e PD-së në Dibër. Zemërim po, por jo çudi. Aq më pak surprizë. Të gjithë në Shqipëri e kanë kuptuar se partia demokratike nuk vjen në pushtet. A se nuk është gati a për arsye të tjera…kjo le të sqarohet më vonë. Por shkurt le t’i hedhim një sy asaj që ndodhi:

1. Fushata e demokratëve qe po aq e dobët sa ajo e zgjedhjeve të fundit lokale. E njejta skemë dhe të njejtët personazhe. Kot sa për ilustrim: Ç’kërkon në fushatën demokratëve për bashkinë e Dibrës fytyra e dështimit të demokratëve në Bashkisë e Tiranës kur Basha ishte kryetar dhe një nga drejtuesit e fushatës së dr. Halim Kosovës kur këtë të fundit e çuan drejt humbjes. Brekët e Shukriut dhe rruga e Arbrit apo rruga e Dovolanit që premtoi Sherefedini të bënte duke nikoqirisur thërrimet e dhëna nga Rama nuk bindën Brezhdanin e Sohodollin, Lurën e Kastriotin, Melanin Grevën e Selishtën….

2. Kandidati qe sa i duhuri aq edhe më i papërshtatshmi. Shukriu fitoi prej përçarjes së demokratëve shkaktuar pikërisht nga ky Sherefedin në Dibër. Kush e caktoi , besoi se Sherefedini që i përçau do t’i ribashkonte, apo Sherefedini të hante me lugë atë që bëri vetë? Kjo e dyta rezultoi e saktë në fakt, bashkë me goditjen pas koke të demokratëve në atë zonë. historikisht vatër e demokratëve.

3. Strategjia e çuditshme e demokratëve. Me Dibrën u punua si të qe Bashkia e Tiranës a e Durrësit: një bashki me resurse dhe dukje në punë. Në fakt – siç thotë populli – me ta falë ta kanë fut! Nëse Sherefedini do të merrte kreun e bashkisë vështirë do të qe të nderohej e t’i dukej puna. Por nëse PD do të kish dalë me tezën se pa përmbysur rilindjen nuk i bën derman njeri pushtetit vendor, ka shumë të ngjarë që fitorja e Dibrës të qe një pikënisje e shkëlqyer për zgjedhjet e përgjithshme pas 9 muajsh. Nëse e gjithë armata e demokratëve në Dibër dhe këtu në media do të godiste me gjithë armatimin rilindjen, shkatërrimin e vendit prej saj. falimentimin e ekonomisë, krizën shoqërore e politike të vendi, kriminalizimin e gjithë sistemit. atëhere edhe nëse humbiste sot, kish mbjellë një fidan për fitoren e motshme.

Por edhe votimet e sotme na treguan se ky vullnet për fitore mungon. Mungesa e këtij vullneti përkthehet në fasadë pastaj si papjekuri e strukturave, gabime të funksionarëve e më the e të thashë.

Ku janë zgjedhjet e parakohëshme që na u premtuan nga zoti Basha? Ky do të qe rezultati i atyre zgjedhjeve? 

Nëse u humb Dibra sot, kush do të fitohet në qershor 2017? PD nuk ka bërë as minimumin e ngritjes së frymës, pale më shumë. Populli nuk ndjen kurrkund vullnet për fitore të opozitës së sotme. Ndërkohë që pa dhe ndjeu adrenalinën dhe testosteronin mbinjerëzor të pushtetit. Një agresivitet i Edi Ramës për ta marrë me çdo mjet atë fitore që më shumë e dëmton se e ndihmon. Megjithatë i tregoi dhëmbët e thonjtë. përdori çdo mjet dhe fitoi, duke na bërë ta përsërisim me mendje premtimin e tij: “Prit se s’keni parë gjë akoma”

Çështja sot shtrohet: Ç’do bëjë nesër Basha? Nëse nis saga e ankesave, denoncimeve, ankimimeve, gjyqeve….jemi tek ajo që tironsit e quajnë “bath’ bath’ po i koqe”. Do të thotë se zgjedhjet e ardhshme janë të shitura tek rilindja.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*