Tronditja prej Henri Çilit dhe topi tek Lulzim Basha. Nga Flamur TAJARI

Sa lexon emrin “Henri Çili” shumicës së lexuesve vetvetiu i vjen në majë të gjuhës, nëmos një sharje, një pikëz pështymë për ta flakur tej gojës. E përbashkëta e gjithë këtij negativiteti është pragmatizmi i paskrupullt i këtij individi për të çuar ujin në mulli të vet, anipse thahet liqeni i gjithë katundit.

Edhe për këtë arsye, edhe pse qe shumë i gjatë, shkrimi i fundit i Çilit ngjalli në fillim inat, neveri, refuzim e më pas nisi të lexohet. Secili sipas mënyrës së vet në fakt, e për këtë arsye edhe unë po e lexoj në timen.

“Kompania e Çilit” njihet ajo që merret me marrëdhëniet me publikun edhe politik. Ka parti që ia kanë besuar kësaj kompanie imazhin. Henri Çili është i njohur për të gjithë në aktivitetin e tij në PD , vetë apo me njerëzit e tij dhe i njohur në rrathë më të ngushtë si një ndër tre personat influentë pranë kryetarit të PD – së Basha.

Do të kish kaluar pa u lexuar as tek Bashkimi në mëngjes një shkrim fjala bie i Andrea Stefanit, për doemosdoshmërinë e një mandati të dytë të Ramës. Përkundrazi. Në kontekstin e mësipërm, e thënë nga Çili, ka ngjallur debat  gjigand.

Në logjikën e oborrit të Ramës, gjithçka është perfekte. Siç thotë autori, reformatori i madh Rama mbolli farën këto vite njëkohësisht dhe nxorri mësime nga gabimet. Për këtë arsye, që të hamë të gjithë kokrrat e ëmbla të qeverisjes Rama, duhet që ky të qeverisë edhe ketër vite të tjera. E theksoj; deri këtu, nuk kishte për t’i plasur njeriu në botë as ta lexonte gjithë këtë hartim, pale të nxehej e vërsulej autorit….

…Por thirrja vjen nga oborri i PD – së. Më saktë i Lulzim Bashës personalisht. Ky Çil, i njohur si mentar i kryetarit dhe sygjerues i emrave të rëndësishëm në drejtim të PD -së sot na del me tezën se Ramës i duhen edhe 4 vite të tjera pushtet për të mirën e Shqipërisë dhe për të mirën e Shqipërisë, që të gjithë ne duhet ta ndihmojmë, t’i bëjmë presion këtij Rame, që tashmë është një pasuri e madhe për vendin, por që duhet mbështetur dhe ndihmuar për të na udhëhequr më mirë dhe më gjatë. Preraz ky është mesazhi, që  në çast hap një debat të jashtëzakonshëm, debat që nis me pyetjen:

A është lojë e Lulzim Bashës kjo?

Edhe për ata që nuk i kanë qejf teoritë konspirative, kur një njeri i lidhur ngushtë me kryetarin e PD – së del e deklaron se edhe 4 vjet duhet të jetë ai tjetri kryeministër, nuk ka rrugë tjetër veç të pyesë: Mos e ka nxjerrë vet Basha për të përgatitur opinionin?

I takon Bashës sqarimi. Ashtu siç del Meta pas Tak Brahos e thotë “ai ka mendimin e vet”, të paktën kaq ka detyrë kryetari i PD – së të sqarojë në rradhë të parë demokratët e militantët e më pas ne. Ndoshta Çili ka patur nevojë të shprehet në këtë mënyrë për të publikuar divorcin me kreun e demokratëve, por nëse nuk e konfirmon ai tjetri, ajo pyetja retorike e mësipërme mbetet në fuqi.

Për më tepër, në analizën e tij Henri Çili ka zbuluar filozofikisht tre fenomente: I pari – krijimi i një konglomerati skorjesh që bëjnë një “kundërshtim laraman” – siç e quan ai, i dyti –  kulmi i një populizmi me kauza irracionale dhe të dëmshme për shoqërinë dhe fenomeni i tretë çiljan është rreziku i ekstremizmit të majtë.

Po opozita O’Henri gazmori?

Shprehimisht për opozitën ky analist na thotë se nga Berisha e Basha deri tek Blushi po mbajnë qëndrime irracionale. Kaq për opozitën? Për të , jo vetëm që nuk ekziston në botë si zgjidhje a si alternativë opozita, por ai e rendit tek populizmi dhe irracionaliteti.

Ç’mendon kryetari i PD – së për këtë tezë? Po demokratët, opozitarët, populistët, konglomerati antiramë e të tjerë? Çili, ky aktor i rëndësishëm në PD e sidomos pranë kryetarit të saj e mori pozicionin. Për këtë arsye edhe shkaktoi këtë reagim masiv; a e ka marrë edhe Basha të njejtin, pra pëlqimin për ndihmuar Edi Ramën të qeverisë edhe katër vjet të tjerë për të mirën e Shqipërisë? Apo ka marrë qëndrim për t’u distancuar nga kjo tezë, për rrjedhim edhe nga bartësi i saj dhe shpurra e tij që është kacavjerrë deri në drejtimin e partisë më të madhe opozitare…të paktën deri tani?

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*