Ujku – ujku! Po çakalli Erion Veliaj bën kërrdinë. Si po merr PS-në. EDITORIAL

Teksa ushtrohemi në rebuset e politikës ” e hoqi Tahirin prej Metës”, “e bëri për interes të këtij a atij”….harruam “çakallin”. E kemi thënë me kohë që beteja e madhe në PS është pasardhësi. Kush do pasojë Edi Ramën?

Deri para dy javësh Saimir Tahiri dhe Erion Veliaj ishin thuaj të barabartë. Por lirimi papritur i Tahirit nga detyra e Ministrit të Brendshëm e përmbysi në çast situatë. Jo vetëm zhveshj nga pushteti, por edhe barra me thashetheme, akuza e komente që mori me vete ish ministri janë peshë e madhe në kandarin e influencës, opinionit dhe rëndësisë së tij në mëtimin e postit të të parit të PS-së.

Teksa opinioni merrej me hamendësime për intriga Rama – Meta, na shfaqet një natë të bukur…Lali! Përshtypja e përgjithshme e atyre që e panë atë natë tek Fevziu ishte se emisioni qe i porositur dhe se kryetari i Bashkisë së Tiranës e hapi thesin e përrallave pa skrupuj e ndroje fare!

Dhe në fakt nuk kishte asnjë motiv të arsyeshëm se përse ai duhej të dilte në atë emision, përveç mesazhit se “tani jam unë”! Mjalt e sheqer doli e lëshoi nga ekrani Veliaj dhe besoj që ka qenë i lumtur edhe për komentet negative, madje edhe fyerjet, sepse në të gjitha mënyrat e rrethanat u vu në qendër të vëmendjes. Ky qe qëllimi në fakt, në vlagën e ikjes së Sajmirit.

Po a do të jetë Veliaj kryetari i rilindjes, pas Ramës?

Deklarata e ca muajve më parë se qe krenar për lidhjet me Soros bëjnë të mendosh se PO. Rilindja është një projekt i Sorosit. Nëse ky i fundit ia del në betejën me presidentin e SHBA, Trump, atëhere askush veç Veliajt s’e merr dot skeptrin e rilindjes. Po të vesh re edhe ndryshimet në qeveri janë në favor të Lalit. Me Fatmir Xhafën, për shembull, punët janë grurë, edhe prej disa lidhje me familjarët e tij. Dhe ky është më i rëndësishmi për projektin e marrjes së partisë.

Ndërkohë…a u dorëzua Sajmiri?

Prej ditësh, me veshje të thjeshtë, ish ministri i brendshëm po shfaqet ku t’i dalë, me shqetësimin e madh të manifestimit “të dashurisë së madhe” që kanë për të dhe “popullaritetit të padiskutueshëm”. Kjo u duk në karnavalet e përcjelljes, ku njerëz me uniforma mbanin pankarta patetike për shefin që po i linte jetimë. Po qe për këtë fushë, Tahiri e ka të humbur që në tavolinë betejën me Veliajn. Në PS Tahiri në fakt ka ecur edhe sepse ka punuar. Veliaj? Vetëm se ka prodhuar publicitet dhe fasadë! Edhe sot ashtu po mban pushtetin në bashki. Nda supë, puth duar, hip në urban…

Tek Fevziu Lali deklaroi se do të jetë me kohë të plotë në fushatë…..Po aty do të jetë edhe Sajmiri, apo jo? Sajmiri si funksionar partie, pa asnjë pushtet tjetër, Erioni me pushtetin e atij që të bën rrugën, të ndriçon rrugën, të rregullon ujin, të zgjidh hallet e dyqanit, të jep lejen e ndërtimit…hë pra, cili yll do shndrisë më fort në fushatë, për të shndritur më pas në ballë të rilindjes?

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*