Ultimatumi për “spitalet” – kështjella e fundit për Ramën. KOMENT

Mes jetës dhe vdekjes, mes vuajtjes dhe qetësisë, pas Zotit vjen mjeku. Tek ai përplasemi herët a vonë të gjithë, ndaj dhe mjeku ka patur e ka një status të posaçëm në çdo kohë, në çdo rregjim, në çdo sistem. Ia kanë nevojën si mbreti ashtu edhe lypsi, ndaj të gjithë e kanë respektuar dhe nderuar figurën e mjekut përherë.

Pak ditë më parë Edi Rama kërko dorëheqjen e drejtorëve të spitaleve “për të rritur cilësinë e shërbimit”! Ultimatum: NESËR TË KENI DHËNË DORËHEQJEN! Dhe për ta çuar në ekstrem talljen, e thotë me zë të plotë para drejtorëve dhe kamerave: “Asgjë nuk e justifikon dhe asgjë nuk e kapërcen dot ndjenjën e turpit për shtetin që spitalet të mos jenë shembuj pastërtia dhe higjiene….”

Kë ka zënë halli me spitalet e di mirë se higjena është i fundit problem. I pari nis nga ilaçet që mungojnë dhe që të duhet t’i blesh në farmacitë përrreth pastaj vazhdojmë me rradhë, që nga aparaturat që janë të kohës qepës, tek ambientet … Thjesht për të thënë se higjena është e fundit në gjithë zinxhirin e dështimit të sistemit shëndetësor.

Të kërkosh në bllok dorëheqjen e gjithë drejtorëve të spitaleve të vendit do të thotë se ke pranuar botërisht dështimin total në sistemin e shëndetësisë. Do të thotë se “shëndetësia falas” ishte një flluskë elektorale kriminale, që – sipas kësaj që deklaron vetë kryeministri sot, pas katër viteve – as tek higjena minimale e spitaleve nuk paska funksionuar!

Në kushte të tjera, Rama dhe ata përrreth tij do ishin treguar të kujdesshëm, për të mos dhënë këtë mesazh. Por mesa duket qëllimi i ultimatumeve të Ramës është krejt tjetër, ndaj dhe i shpëtojnë këto “vogëlsira”. Siç e thamë, mjeku në çdo kohë e sistem ka patur status të privilegjuar. Për këtë arsye ka patur edhe integritet e autoritet në shoqëri. Pikërisht këtë kështjellë të fundit të lirisë intelektuale, ekonomike e personale godet “ultimatumi”. NUK KA MË TË MËDHENJ SE EDI RAMA! Ai të emëron, të shkarkon, të ndryshon jetën, bukën, punën, mundësinë.

Ultimatumet – përfshi edhe këtë për spitalet pra – janë mesazhi se mes Zotit dhe ne të tjerëve s’ka ndërmjetës tjetër veç Edi Ramës. Të tjerët o janë shtetas të bindur ose shtetas të vuajtur në proçes bindjeje. Depersonalizimi i individit ka qenë dhe mbetet arma bazë e totalitarizmit dhe ky “ferri” që ka premtuar Edi Rama për administratën s’është gjë tjetër veç ndërtimi i një administrate eunukësh lepe – peqe me të cilën të sundojë pa shumë zorr gjithë pjesën tjetër të depersonalizuar të shqiptarëve.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*