Vështirësia ku Basha vuri dje mediat dhe përvjetori i PD – së. Nga prof.asoc.dr Koçi FOSI

Dje ka qenë një ndër ditët më të vështira për median në pasqyrimin e aktivitetit përkujtimor të themelimit të Partisë Demokratike. Jo për aktivitetin në vetvete. Po për titullin. Rrëmo e rrëmo e aty tek hapja e PD – së dhe tek kufizimi në dy vjet i mandatit të kryetarit dhe drejtuesve u rrotulluan.

SEPSE BASHA NUK THA GJË NË KËTË NGJARJE KAQ TË RËNDËSISHME!!

As me zë, as me veprim, as me konvencion. Nisim nga titulli i aktivitetit: Open day (dita e hapur apo e hapjes)!!

Pse more , paska qenë e mbyllur PD -ja? Ne dijmë vetëm që “të rinjtë” janë me tezën se duhet të largohen “të vjetrit”, por jo se qenkësh e mbyllur kjo parti. E çuditshme kjo simbolika e “open” kur aktiviteti u bë mbrenda rrethimit të gardhit të selisë së Partisë Demokratike. Dakord që sheshin Skënderbej po e punon Lali dhe atë Nënë Tereza e kanë zënë birra e qoftet, por një vend i hapur, jashtë gardhit, simbolikisht, do të qe më i përshtatshëm për “hapjen”

Përmendi kryetari tre themelues, dy të vdekur e një të gjallë: Azemin, Pashkon dhe Berishën. Po Meksin, Genc Pollon, Eduard Selamin? Po të tjerë? Besimi tek “Open day” do të kish nisur kur në krah të kryetarit të qëndronin “pardesytë e bardha”, sidomos rebelët që janë larguar kohë pas kohe, më tej studentët e Dhjetorit ’90 dhe ish të përndjekurit. Kjo është fotografia e PD – së në atë natë 12 dhjetori 1990 dhe një e ngjashme do të ndihmonte në atë besim që aq fort e përsëriti dje Basha.

Pas gjysmës së hartimit të kryetarit media mprehu veshët se iu duk sikur më në fund erdhi në një gjë konkrete kur Basha tha se Shqipëria e sivjetshme edhe ngjan edhe s’ngjan me atë të vitit 1990. Ka bërë kryetari i demokratëve një analizë të shkëlqyer të kësaj Shqipërie sot: Korrupsion i llahtarshëm, drogë, klientelizëm, blerje vote, varfërim e çmos tjetër. Ca prej tyre më zi se para 26 vjetësh. Po ç’ofron partia që në atë kohë mobilizoi shqiptarët për të përmbysur diktaturën? Kryetari shprehimisht thotë se do të bëjë…” …kthimin e besimit të njerëzve tek politika!”

Domethënë, nëse ata e kanë kthyer pushtetin në krim, oligarki, abuzim etj, kryetari i opozitës, viktimave të kësaj klike do t’i mbushë mendjen se duhet të kenë besim tek politika, pasi përmes politikës kjo e keqe luftohet? Kanabisi me votë domethënë? Po sikur në Dibër nuk funksionoi, pa mirë.

Hë! Ja dhe një herë veshët përpjetë gazetarët kur lëshoi Basha lajmin se tashmë fatet e partisë nuk do t’i ketë më kryetari, por ai anëtari i thjeshtë, ai fshatari e i papuni në Devoll, Koplik, Valbonë e Muzinë. Ai do të zgjedhë kandidatin për deputet, ai do të zgjedhë kryesinë dhe kryetarin. Madje, për ta bërë edhe më të vështirë lojën, kryetari dhe drejtuesit do ta kenë mandatin vetëm 2 vjet! Pyetja e parë është: Pas dy vjetëve mandat, ikin? Apo votohen pambarimisht çdo dy vjet dhe ca ikin e ca rrinë? Një tjetër pyetje interesante është: Nëse i humb zgjedhjet pas gjashtë muajsh ky kryetar, a do të japë dorëheqjen , në kushtet edhe të kësaj hapjeje të re të forcës së tij politike?

Ka edhe pyetje të tjera por na i zuri në fyt zoti Basha kur brram! na nxorri emrin e Donald Trump!! Fjalën e tij të hapjes së Partisë e mbylli me një citat të presidentit të sapozgjedhur të SHBA. Pas pjesmarrjes në Konventën e Demokratëve të Klintonit dhe jo atë të Republikanëve të Donald Trump, për zotin Basha ky duket një ndryshim gjigand, një hapje përtej përmasave të hapave të tij, por që sidoqoftë në politikë njihet. E sidomos në atë shqiptare.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*