Vjedhja në rrugën e Elbasanit. Pronarët e truallit i shkruajnë Edi Ramës: “Na kthe lekët”

Leter e hapur Kryeministrit Edi Rama

Ne, pronarët e truallit dhe ndërtesave në rrugën e Elbasanit, që u prekem nga zgjerimi i kësaj rruge, po ju shkruajmë këtë letër të hapur me shpresen se e drejta jonë e nëpërkëmbur do gjejë zgjidhje.

Histori e shkurtër

Në prill 2012 Autoriteti Rrugor Shqiptar lidh kontratë me shoqërinë ANK për zgjerimin e rrugës së Elbasanit, nga Filologjiku deri në Unazën e Madhe.

Në qershor 2012 kompania fillon punimet dhe merr pjesë të trojeve tona, të cilat ishin pjesë e projektit të zgjerimit të rrugës. Në 31.07.2013 del VKM nr 695 e cila përcaktonte çmimin e shpronësimit dhe vlerat të cilat do merrnin pronarët për trojet e ndërtesat e marra nga shteti.

Në muajin gusht e shtator 2013 një pjesë e pronarëve plotësojnë dokumentacionin dhe e dorëzojne pranë ARrSH për të tërhequr vleren e shpronësimit. Autoriteti Rrugor u kthen përgjigje në dhjetor 2013 që paratë nuk mund t’i merrni se zbatimi i VKM-së është pezulluar nga Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave. (në kuadër të verifikimit të disa VKM-ve të marra nga qeveria e para zgjedhjeve) Akoma, deri më sot, ky vendim qeverie nuk është zbatuar dhe pronaret nuk kanë marrë vleren e shpronësimit për trojet e ndërtesat që u janë marrë. (s’kanë marrë as atë çmim minimal-4 herë më të vogël se ç’kishte vlerë prona në atë periudhë që u morr) Theksojmë se zgjerrimi i rrugës së Elbasanit ka përfunduar që në qershor të vitit 2014 dhe nga ajo periudhë është e zgjeruar dhe në përdorim të qytetarëve. Z Kryeministër Kanë kaluar katër vite që trojet tona janë marrë nga shteti dhe megjithëse rruga është në përdorim nga qytetarët, ne nuk kemi marrë vlerën e shpronësimit.

A mund të ndërtohet shtet kur nuk njihet prona dhe pronarët?! Themeli i ndërtimit të shtetit është respektimi i pronës private, ndërkohe Shteti ua merr pronën , pa dalë vendimi i shpronësimeve, pa njoftim. Prona merret me përdhunë dhe megjithëse investimi ka mbaruar pronarët nuk dëmshpërblehen Pronarët nuk respektohen as në pronësi, as në informacion, as në komunikim. A mund të thuhet se po bëjmë shtet kur shkelen në mënyrë të hapur ligjet dhe vendimet e qeverisë? Ligji Nr. 8561/1999 “Për shpronësimet….” kërkon që pronarët duhet të marrin vlerën e shpronësimit përpara se të fillojë investimi, ndërkohe që investimi ka vite që ka mbaruar dhe akoma pronarët nuk kanë marrë edhe vlerën e caktuar për shpronësim Çmimin per shpronesimin e caktoni në mënyre abuzive dhe në kundërshtim me ligjin e shpronësimeve dhe procedurat e caktuara nga VKM përkatëse Vendimin e qeverisë 695 datë 31.07.2013 nuk e zbatoni, për më shumë i sorollasni pronarët sa në një institucion në një tjetër. Ankesave të panumërta të pronarëve nuk u jepni përgjigje, siç e kërkon Kodi i Procedures Administrative dhe ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit ”

A mund të thuhet se po bëjmë shtet kur një verifikim administrativ (financiar) i një vendimi qeverie merr më shumë se 3 vite kohë? VKM 695 date 31.07.2013 u bllokua nga Ministria e Financave në nentor 2013 (shkresë zj Geraldina Prodani, sekretare e Përgjithshme, drejtuar ARrSH) 13 shkresa te ARrSH drejtuar Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Financave për të zhbllokuar Vendimin përkatës nuk kanë përgjigje (ose të gjitha përgjigjet ngarkojnë me përgjegjësi Këshillin e Ministrave për mosdhënien e përgjigjes për statusin e VKM-se përkatëse) 18 komunikime me shkresa, email dhe të tjera mënyra komunikimi të Ministrisë së Financave me Këshillin e Ministrave nuk kanë marrë përgjigje Pimpongu mes dikastereve me shkresa (rreth 30 të tilla) tregon së paku një paaftësi ekzemplare ose nje dashakeqësi histerike ndaj pronarëve

A mund të thuhet se po bëjmë shtet kur vetë Këshilli i Ministrave që ju drejtoni nuk kthen përgjigje për ankesat e qytetarëve dhe nuk zbaton ligjin që ai e ka inicuar dhe miratuar në parlament, ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit ” 15 letra të pronarëve dërguar në Këshillin e Ministrave gjatë 2 viteve nuk kanë përgjigje 4 letra drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave nuk kanë përgjigje Letrave dërguar tek shefja e Kabinetit Tuaj nuk u jepet përgjigje Ankesave online të bëra në sajtin e Këshillit të Ministrave përgjatë 2 viteve për këtë problem nuk u jepet përgjigje Siç duket zbatimi i ligjit kërkohet vetëm nga të tjerët dhe jo nga Keshilli i Ministrave Zgjidhja: ne, pronarët e trojeve te marra nga zgjerrimi i rrugës së Elbasanit kërkojmë: -zbatimin e menjëhershëm të VKM 695 datë 31.07.2013 (ose dhe të plotësimeve që mund t’i bëni atij vendimi)

Pronaret

Familja Mati

Familja Kondi, Kasa

Familja Radovicka

Familja Bejleri

Familja Bujari

Familja Xhelili

Familja Tundo

Familja Stermasi

Familja Gjoka

Familja Visari etj etj

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*