Vota që dogji Shpëtim Idrizin mund të djegë gjithë ESTABLISHMENTIN. EDITORIAL

Pakkush e di se Shpëtim Idrizi u dogj pikërisht nga vota kryq! Prej kohësh kreu i PDIU, bashkë me kauzën çame i kishte humbur edhe çamët. Por i bindur se inercia do funksiononte e çamët s’kishin nga ia mbanin, Idrizi vuri kandidaturën në kryeqytet. Dhe nuk qe edhe aq e vështirë ta fitonte, nëse njëri ndër themeluesit e Çështjes Çame, Artur Dojaka, të mos bënte fushatën për kryq votës.

Aleanca Popullore ishte pjesë aktive e zgjedhjeve 2017. Pa kandidatë, por me një alternativë të qartë: VOTO KUNDËR! Ngjarjet që prej 18 shkurtit, me hapjen e çadrës, 17 majit me marrëveshjen okulte Rama – Basha e të tjerat konsoliduan konturet e një ESTABLISHMENTI të pastër që ka në një dorë gjithë jetën politike të vendit. Vota kundër ishte një alternativë jo vetëm morale, por edhe politike kundër këtij establishmenti.

Produkti politik në fakt ishte humbja e kryetarit të PDIU në Tiranë. Ky shembull vlen për t’u shpjeguar vlerën reale të saj skeptikëve që gjatë fushatës pyesnin: “E ç’vlerë ka”? E para vlerë është shprehja lirshëm e vullnetit politik. Pra është si alternativë. E dyta është konfirmimi i një fryme e cila pavarësisht establishmentit dhe jashtë tij, ekziston dhe kërkon ndryshim radikal. E treta, edhe kështu në fazën fillestare, tregon se mund të sjellë ndryshime të rëndësishme dhe ka vlerën njëlloj si çdo votë tjetër.

Zhvillimet në Partinë Demokratike që pas 23 qershorit e këtej, konfirmuan pikërisht këtë tezë. Edhe aty u shfaq fuqishëm nevoja për një votë kundër, por që nuk arriti të përfaqësohet nga askush, duke bërë që zgjedhja e kryetarit të ri të degjenerojë në një skeç bajat. Po ashtu, të njejtat zhvillime konfirmuan nevojën për një kryq të madh kundër këtij establishmenti, pjesë e rëndësishme e të cilit tashmë është edhe Lulzim Basha.

E vetmja lëvizja serioze, që ka kuptim tani e mbrapa është pikërisht kjo kundër ESTABLISHMENTIT. Të tjerat , edhe po u shfaqën diku janë teatër i pastër.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*