Votimet në Kavajë, në qershor dhe si do të luajë Basha… Nga Armir SHKURTI

Kavaja! Pas Dibrës e Kolonjës PD ka një tjetër sfidë elektorale. Me shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti bregdetar në pak javë priten zgjedhje të reja. Ç’do të bëjë PD – ja?

Përgjigjja spontane dhe propagandistike është; “t’i fitojë”! Dhe menjëherë vazhdon tjetra; “po a i fiton dot”? Në shtator demokratët u investuan me mish e me shpirt (të paktën kështu u duk nga prania e paparë që nga drejtuesit më të lartë deri tek ata që kishin lidhje fisnie, miqësie, krushqie a interesi me atë zonë) në këtë të quajtur bastion të demokratëve. Shanset për fitore ishin të mëdha për demokratët edhe për faktin se ish kryetari u shkarkua dhe u arrestua sepse lypi seks në këmbim të një vendi pune, e më keq akoma, u bë gazi i botës për shkak të brekëve me vrimë që na u shfaqën gjatë tentativës së dështuar për t’u çiftëzuar….

…Jo vetëm që s’fitoi opozita, por korri një disfatë me nja 4000 vota minus. “Na i mori mafia” “na i bleu hashashi” doli justifikimi menjëherë nga selia blu, i përsëritur dendur nga kryetari Basha.

Dhe nuk është larg të vërtetës. Ca vota u blenë, ca të tjerë, demokratë, që kishin mbjellë hashash në parcelat e tyre, u shantazhuan dhe hoqën dorë nga fushata dhe shkoi siç shkoi. Më në fund, realitetin që e dinim të gjithë e pranoi edhe kryetari i opozitës. Ka një mafia hashashi në vend, të lidhur organikisht me pushtetin dhe që kontrollon 100% votat, me kulaç a kërbaç.

Ky realitet e vuri opozitën në situatën e zgjedhjes mes të qenit pjesë e teatrit politik të drogës, ku vota dhe pushteti është në dorë të mafias apo ta luftojë atë. Për fat të keq , dy muaj në vonë , opozita zgjodhi të jetë pjesë e teatrit. Hyri në zgjedhjet për kryetar bashkie në Kolonjë! Jo po Peleshi, jo po Taulant Balla, jo po hashashi,,,,iku edhe këtu. Vetëm 1 në 3 kolonjarë votuan opozitën, “për shkak se pushteti i drogës, hashashit, bandave, u bëri presion e u bleu votat”.

Tani jemi në Kavajë. Dikur bastion i PD – së por që ka kryetar një person të cilin kjo opozitë e ka akuzuar më së paku si kriminel dhe që iu hoq mandati në kuadër të ligjit të quajtur “i dekriminalizimit”. Pra, me logjikën e akuzave të opozitës, tani kemi një përballje të pastër të votës demokratike të PD – së me krimin e organizuar që mban pushtetin vendor prej 5 vitesh në Kavajë….

…dhe në këtë kontekst i kthehem pyetjes; Ç’DO TË BËJË PD -ja?

Që të mbajë premtimin e bërë më 11 dhjetor në oborr të ish – SHQUP-it nga kryetari se “do të kthejmë besimin e qytetarit tek politika”, duhet t’i fitojë. Por me këtë fitore për fat të keq do të provojë krejt të kundërtën e asaj që ndodhi në Dibër. Pra nëse me votë fiton kundër një personi të quajtur kriminel dhe bandës së tij në pushtet….i bie që kjo mafia e hashashit dhe blerja e votës nuk ekzistoka. Apo ekziston dhe mundësia që, meqë ka në dorë gjithë pushtetet krimi e oligarkia, të  mund ta japë Kavajën për të mbyllur gojët? Edhe mund ta bënte Edi Rama nëse ky rezultat të mos ndodhte 4 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme. Një humbje e rilindjes në Kavajë do të qe goditje personale ndaj Ramës, ndaj përzgjedhjes së tij për kryetar atje, vërtetim i teorisë se “Kavaja është demokrate por është marrë peng nga kriminelët e Ramës”. Një humbje e Edi Ramës në Kavajë do të lexohet si dobësi, si rënie e pushtetit mu në oborr të rilindjes ose më mirë një mi që, pasi kalon në mustaqe në Kavajë, mund ta bëjë rrugë në qershor edhe në vende të tjera kur elektoratit i është larë truri se Rama fiton pa problem e s’ka bir nëne që e mund.

Pra PD -ja e ka jetë a vdekje fitoren. Kuptohemi , them PD -ja, jo kryetari. Po hyri në zgjedhjet për kryetar Bashkie të Kavajës e humbet , qershori ka për të qenë edhe më i thellë.

Në këtë grintë për fitore të kryeministrit nuk kam parasysh sfidën e tij ndaj Bashës, pasi kjo nuk ekziston as në analizat apo shpresat edhe më optimiste. Përballja e egër, jetë a vdekje, është Rama vs Meta. Siç ndodhi në Dibër ku, vërtet humbjen e pësoi PD por goditjen e pësoi LSI. Edhe këtu, fitorja ose humbja e Ramës është fitore ose humbje ndaj aleatit në qeverisje. Elektorati pragmatist është tërë sy e veshë. Nga po shkon kandari?

…Tani kthehemi tek ajo që unë mendoj realisht se duhet të ndodhë e jo tek hipotezat: PËR MUA PD NUK DUHET TË MARRË PJESË NË KËTO VOTIME E ME SHUMË MUNDËSI, AS NË ATO PËR PARLAMENTIN E ARDHSHËM NË QERSHOR 2017!!

Çështja e hashashit nuk është ndërkombëtarizuar. Asnjë institucion ndërkombëtar nuk është prononcuar seriozisht për të, kështuqë çfarëdo të ndodhë këtë verë, zyrtarisht nuk mund të akuzohet as hashashi e as mafia, aq më pak pushteti i lidhur me ta. Po ashtu, nëse kjo opozitë akuzon Ramën për korrupsion, lidhje me krimin, shpërdorim të pushtetit, arbitraritet , apo , siç e përkufizoi në 11 dhjetor kryetari i PD – së Basha, me plot ngjashmëri pushtetin e 2016 – ës me atë komunist të 1990 -ës, nuk është vota dhe një proçes le ta supozojmë njëanshmërisht i ndershëm e korrekt përballë pushtetit të inkriminuar.

Të paktën nga zgjedhjet e Kavajës PD bën shumë më mirë të tërhiqet, edhe në emër të asaj që në 11 dhjetor deklaroi Basha, kthimit të besimit të qyetarëve tek politika. Futja në një proçes farsë vetëm sa do t’i japë legjitimitet atij. Distancimi dhe betejat serioze edhe në kancelaritë e Europës dhe SHBA – së kanë një shans të nisin kthimin e dinjitetit tek PD -ja, të bëhen pikënisje për kthimin e besimit të qytetarit tek një forcë që seriozisht kundërshton të keqen e përfaqësuar nga ky pushtet dhe të ndezë shpresën për një alternativë ndryshimi dhe progresi.

 

 

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*