Z. BERISHA LAJMËROI, QË EDI RAMËN S’E ZINTE DHJETORI. PO Ç’THA DOKTORI E S’DOLI! Nga Fatmir GUDA

Edi Rama qysh me mospërfshirrjen e Sajmir Tahirit në kabinetin qeveritar, la të kuptonte se lëvdatat dhe dekoratat ndaj tij i kishin mbaruar dhe me shërfillje e injorim do e spostonte atë larg vëmëndjes së publikut. Dukej sikur ish-bashkpuntori më afërt i kryeministrit kish përfunduar si mos më keq, por në fakt ai vetëm sa nuk kish parë asgjë akoma. Viktimë e shprehjes së bosit të vet politik, Saimir Tahiri përfundoi ashtu siç e kishte akuzuar në 4 vjet opozita, si i implikuar direkt në trafikun e drogës pas zbardhjes së dosjes hetimore të kushuririt të tij Moisi Habilaj, i cili është ndaluar nga policia italiane si organizator trafiqesh ndërkombëtare të drogës. Pas kësaj situate fenomeni që të bie në sy është shpëtimi i lëkurës duke bërë hasha pa një pa dy cilindo bashkpuntor, përfshi dhe atë më të afërmin.

Në këtë frymë Rama flaku Tahirin, pasi e reklamoi si ministrin më të suksesshëm, njëlloj si ky i fundit la në baltë kushuririn Habilaj, pasi garantohej e përbetohej për të se nuk kryente aktivitet kriminal. Mbase kodi i mafjes është ai që i detyron të sillen gojëkyçur e mohues ndaj njëri-tjetrit, por përmasat e skandalit janë aq të mëdha sa po trondisin fort themelet e qeverisjes së vëndit, ndaj dhe do të jetë e pamundur që të mbyllet pa “viktima” kjo furtunë e nisur dhe paraprirë javë më parë nga deklaratat e kryediplomatit amerikan në Tiranë Donald Lu. Se sa kollaj do ta kenë viktimat e këtij skandali të shkojnë vetmohueshëm drejt fundit të tyre fatal ngelet të shihet.

Deri më sot ata kanë arritur tek flakja e çirrakëve. Nëse nën moton “dy duar për një kokë”, po me kaq lehtësi do t’i shesin edhe padronët e tyre, padyshim që në dritë të diellit do dilte një mega aferë, që do trondiste jo vetëm mazhorancën qeverisëse por edhe gjithë rrjetin ndërkombëtar me të cilën lidhen tentakulat e saj. Sidoqoftë, kjo është një luftë për jetë a vdekje që vetëm sa ka filluar, ku nga ana e kryeministrit Edi Rama si fillim nuk do lihet gur pa lëvizur, që “viktima” të mos ketë, se mandej fati i tij dhe karrierës së vet politike shkon drejt zeros. 

Askush nuk e kish menduar, që vetëm pak muaj pas rrëmbimit në duar të timonit me 74 mandate, Edi Rama çuditërisht me buzëqeshje të ngrirë për “trumfin”, do përballej mbase dhe jo aq papritur me situatën më të rëndë, e cila po vë në diskutim deri legjitimitetin e qeverisjes së vëndit dhe fatin e vazhdimësisë së saj. Mjafton ky skandal për të faktuar fenomenin e shitblerjes së votës me paratë e drogës e bandave kriminale dhe për t’i dhënë kartën morale frontit opozitar që në unison kërkon largimin e pushtetit ilegjitim. Nuk dihet nëse ky është rast më vehte, apo një ndër 4 klanet që komandojnë 20 familjet mafioze në qëndër të aktivitetit të krimit të organizuar në Shqipëri, siç pat deklaruar ambasadori amerikan në vëndin tonë, por ndërsa priten të tjera fakte dhe aludohet për shpërthimin së shpejti të të tjera mega aferave ku bosat dhe argatët shesin shoq-shoqin, më realist se profetik vjen paralajmërimi i ish-liderit demokrat Sali Berisha, i cili në disponim të morisë së informacioneve që i besohen nga burime të ndryshme, njëkohshmërisht me denoncimet pafund ka thënë se këtë qeveri nuk e zë Dhjetori.
Fundja ç’tha doktori dhe s’doli!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*