Analizë nga Armir SHKURTI
Kryetar i Bashkisë Tiranë, Erion Braçe? ” E kam seriozisht” – e tha ai. Atëhere le ta shohim pak më hollë punën. Le ta nisim me pikën e parë:
Çfarë mbështetje ka Braçe në një garë për kryetar të bashkisë?
Në kushtet e sotme, je i mbështetur në PS, nga gjithë partia, nëse kështu do kryetari Edi Rama. Nuk të voton as mëma që të ka dhënë sisë po qe se nuk të do Edi Rama. Ja kaq!
Po mirë, vjet, pak ditë para se të niste fushata, Rama e hoqi Braçen nga Divjaka dhe e solli tek njësia 5 në Tiranë dhe Erioni fitoi.
Kjo është e vërtetë! Në fushatën e prill – majit ’25 Braçe punoi derrçe dhe fitoi po derrçe dhe hyri në Kuvend. Për shkak të këtij triumfi vetjak ky zotëri sot i bën oponencë hapur pushtetit, duke kqyrur nga këndvështrime parimore jetën politike në vend. Por deri ku shkon kjo oponencë?
Deri tash, vetëm në Kuvend por jo në parti.
Shumë vëzhgues të politikës pohojnë se Erioni mbetet ndër të paktët socialist një aglomeratin pragmatist “rilindje”, që “partia socialiste” është thjesht “mbiemri i vajzërisë”. Ama deri më tash, ky socialist ka dëshmuar vetëm bindje dhe disiplinë ndaj forcës së tij politike. Prandaj, me lëvizjen e fundit, lindin disa pyetje:
ME APO PA LEJEN E KRYETARIT E SHPALLI KANDIDATURËN KY NJERI?
“Me leje” – do të thotë fitore e sigurt, por edhe zhvillime shumë interesante. Sepse kryetari i kaluar i bashkisë së kryeqytetit ishte projekt për kryeministër dhe kryetar partie.
…apo “pa leje”? Në qoftë kështu, ky është provokim i madh dhe lojë e rëndë e Braçes. Lojë e cila, gjithësesi, vetëm kryetar bashkie nuk e bën. Të paktën nuk e bën me logon e PS…
– Po mirë mo! Bën parti tjetër Braçe. Jo më kot kërkoi nga KQZ sa vota ka marrë nëpër zgjedhje!
Eh jo! Salianji edhe mundet ta marrë një copë PD, siç mori vjet Luli, Alibeaj etj. Sepse nga hiçi del hiç. Në opozitë nuk humb gjë po luajte nga një humbës tek tjetri. Por në pushtet zarari është i madh “po u ndave nga tufa”. I bie të kalosh vullnetarisht nga pushteti në opozitë, duke humbur jo vetë privilegjet, por edhe mundësitë deri edhe shpresën.
TANI BËHET MË INTERESANTE PYETJA: DO APO NUK DO BRAÇE TË BËHET KRYETAR I BASHKISË SË TIRANËS dhe A KA GJASA TË BËHET?
Jo! Nuk ka asnjë shans! Jo thjesht për faktin se nuk ndodhet brenda kutisë së zarave të Ramës, por sepse është shprehur kundër thelbit të “rilindjes” në Tiranë: mafias së betonit. Nuk ka shans që oligarkia të pranojë një mish të huaj në zemër të saj.
Po mbase ndryshon Braçe!
Atëhere do të humbiste kuptimi i tij dhe do të njehsohej me zarat e tjerë të kutisë së Edit. Për këtë format, deri më sot, Erion Braçe nuk ka dhënë asnjë shenjë.
ATËHERE MBETET PROVOKIM, POKER, BLLOF….?
Unë besoj se PO. Shpëtimi kriminal i Ballukut është çarja e “Titanikut” të Ramës. Pushteti i tij, në vend dhe në botë, ka marrë një të çarë fatale dhe fut ujë ngado. Të varfërit dhe të pamundurit po luftojnë të shpëtojnë. Të fortët po punojnë të fitojnë dhe përfitojnë. Ajo shumicë me 83 mandate nuk është një bllok graniti i pathyeshëm. Përkundrazi! Është një puzzle i formuar nga rryma, grupe dhe interesa të cilat i mban bashkë pushteti dhe ushqimi që ky pushtet u jep. Ndërkohë duket se sot ekuilibrat janë prishur. Në këtë krizë më duket se Braçe po kërkon të ekspozojë në rradhë të parë brenda partisë, në rradhë të dytë , brenda grupit të tij parlamentar dhe po aq edhe më gjerë në elektorat dhe politikë. Provokimi i kandidimit për kreun e Tiranës sjell me hir a pahir rreshtimin pro dhe kundër tij brenda partisë, por më e rëndësishmja brenda grupit parlamentar. Nëse pas vetes Erioni ka të paktën 13 aleatë të vendosur, atëhere Ramës i mbeten 69 mandate. Ose më mirë, humb shumicën. Jo se do të ndodhë. Por thjesht Erioni mund ta ngrerë stekën e tij në nivele të papara deri sot.
