AmeriGon Shehaj dhe piramida e firmave. Nga Armir SHKURTI

“Goni i amerikonve” – këtë imazh u përpoq të ndërtojë kryetari i “Shansit”, alias “Mundësia”, pas takimit në dhjetor me të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë. Për ti dhënë më shumë rëndësi vetes dhe peshë partisë, ameriGoni tha se s’mund të zbulonte bisedën me diplomaten. Kjo nënkupton se gjëra me shumë zarar janë thënë dhe barrë shumë speciale i është besuar Shehajt

Ato ditë Tik Lapaj kish nisur një gjë që quhej protestë, duke u ulur në karrige plastike para kryeministrisë. Nga ana e tij Berisha nisi protestat, çështja Balluku zjente fort, dhe Qori me të tijët gjithashtu protestonin….

Këto “shpërthen” ameriGoni! Menjëherë pas takimit në ambasadë del me “bomba- deklarata” në mbrojtje të drejtësisë. Mesazhi që morën veshngrehurit ishte: “qenka lojë amerikone”! Dhe kjo, jo thjesht se vinte pas takimit me “amerikonen”, por edhe sepse Shehaj me “Shansin” e tij as kishin as prodhonin tjetër gjë.

Meqë në politikën shqiptare rëndësi ka lëvizja dhe jo rezultati, Gonia i doli zot drejtësisë ! Se ç’do të thotë që një parti mbron drejtësinë dhe, kryesorja, si e mbron dot drejtësinë, ky është një rast për tu studiuar më vonë. Por le të kthehemi tek “lëvizja”

Në 3 muaj kryemundësori me mundësorët e vet thonë se mblodhën 100 mijë firma në mbrojtje të drejtësisë. Një mrekulli! Po tani? Çfarë do të ndodhë me 100 mijë firmat?

Hiç ! Në një intervistë me Ylli Rakipin ameriGoni sqaroi se këtë sipërmarrje e bënë për ti treguar botës “se shumica e shqiptarëve nuk janë me të korruptuarit dhe janë me luftën kundër korrupsionit” ( ja linku, nëse dëshiron : https://www.facebook.com/share/r/1J3v4ja2VN/ )

Pra, ç’bëri kryemundësori? Edhe një herë, si gjithë të tjerët, shpërdoroi zgjedhësit.I ftoi për një çështje fisnike dhe madhore ( që në fakt është krejt jashtë qëllimi dhe mundësive të “Mundësisë” ) dhe 100 mijë vullnete i përdori thjesht për kapitalin e vet politik.

Po ti ç’ke o vëlla? Ka qejfin e vet, punën e vet dhe kauzat e veta politike – do të më qortosh mua

dhe në dukje ke hak ti. Por çështja është se më pas këta “liderë” na fajësojnë neve. “Ky popull është dele”, “këta i ka tredhur Rama me Berishën” e të tjera prej këtyre. E vërteta është se, ky popull sistematikisht i tradhëtuar nuk mund të ndjekë qorrazi xhambazin e rradhës. Kur paraqitesh pa ide, pa kauza të prekshme për elektoratin dhe pa zgjidhje reale, nuk ta kanë fajin “delet”. Gjeje tek vetja shoku!

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*