Situata brenda Partisë Socialiste: Kur pushteti zgjat, rebelimi lind; por jo çdo rebelim është projekt; duket më tepër si instinkt mbijetese!

Opinion Halit BERATI

Në Shqipëri prej më shumë se një dekade qeveris , në një realitet që shoqërohet shpesh me akuza për korrupsion, emigrim masiv dhe një perceptim në rritje për lodhje nga pushteti i gjatë.

Brenda kësaj panorame, ajo që bie në sy nuk është vetëm opozita tradicionale, por edhe lëvizjet e brendshme në vetë kampin socialist.

Figura si Elisa Spiropali, Erion Braçe, apo edhe socialisti i stërvjetër Arben Malaj, kanë filluar të artikulojnë qëndrime kritike dhe, sipas deklarimeve publike, këta dy të fundit synojnë përfshirje direkte në garat e ardhshme lokale.

Në shikim të parë, këto iniciativa duken të destinuara të dështojnë nëse sdo të kenë mbështetjen e Edi Ramës.

Por ndoshta pikërisht këtu fillon një lexim tjetër.

Hipoteza më e qëndrueshme që shtrohet është kjo:

Nuk kemi të bëjmë thjesht me rebelime apo kandidime individuale për fitore të menjëhershme, por me një proces më të thellë, një përpjekje për të dobësuar gradualisht dominimin e lidershipit aktual, duke krijuar hapësirë për një fazë të re brenda së majtës.

Në këtë këndvështrim, edhe humbja e disa bashkive nuk shihet si disfatë strategjike, por si kosto e pranueshme për të rikthyer pluralizmin e brendshëm dhe për të ndërtuar një identitet politik post-Rama.

Një lloj “sakrifice e kontrolluar” për të garantuar mbijetesën dhe rinovimin e Partisë Socialiste në afat më të gjatë.
Sigurisht, kjo mbetet një hipotezë, e besueshme ama, nëse besojmë se rebelimi i Spiropalit s’mund të jetë aq spontan, kur dihet se ajo ka mbështetjen e kryeplakut socialist Gramoz Ruçi, që daljen e detyruar nga skena politike sja ka falur kurrë Edi Ramës, pavarësisht se ka bërë sikur u tërhoq vetë.

Mund të jetë një strategji e menduar, por mund të jetë edhe një reagim spontan i figurave që kërkojnë të diferencohen në një moment kur pushteti i gjatë fillon të prodhojë konsum dhe pakënaqësi.

Ajo që duket e qartë është se çdo pushtet i zgjatur prodhon dy fenomene paralele: stabilitet në sipërfaqe dhe tension në brendësi. Dhe shpesh, ndryshimet më të mëdha nuk vijnë nga jashtë, por nga çarjet e brendshme.

Në fund, pyetja mbetet e hapur: A kemi të bëjmë me një strategji të vetëdijshme për tranzicion, apo thjesht me instinktin e mbijetesës politike të individëve brenda sistemit?

Sepse ndonjëherë, historia nuk ndryshon nga ata që kundërshtojnë pushtetin, por nga ata që fillojnë të mos e ndjekin më atë.

Ps. Nëse bëhet e njëjta analizë me premisa të ngjashme për situatën në PD, me Ervin Salianjin që del kundër Berishës, gjasat janë që rezultatet të ngjasojnë.