Cilin Sali do rizgjidhni mbret partie o demokratë? KOMENT

Saliu është rizgjedhur. Në 23 maj thjesh votohet! Nuk e themi ne, e ka konfirmuar Partia Demokratike. Pak ditë më parë edhe Tritan Shehu, dikur kryetar i PD , e niste statusin me konfirmimin e rizgjedhjes së Berishës.

“Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje”

“Edi Rama vjedh votat”

“Ne do ta mundim Edi Ramën me votë”

Këto janë disa nga deklaratat e Sali Berishës kohë pas kohe, një ekuacion paradoksal në vetvete. Paradoksal për faktin se, po qe se me Ramën nuk ka zgjedhje dhe Rama i vjedh ato, si dreqin do të mundet me votë të lirë ai individ, të cilin po Berisha e akuzon si kreun e narkoshtetit të vetëm në Europë. Pra Mafia do të mundet me votë?

E lemë këtu këtë paradoks për të parë tashmë “shtëpinë” e njeriut që do të mundë me votë të lirë dhe demokratike Mafian, narkoshtetin dhe grabitësin e votave. A ka demokraci partia e tij?

Neni “Basha” i asgjësuar

Me entuziazëm dhe vendosmëri kryetari Berisha ka vendosur në statut nenin e dorëheqjes, sipas të cilit, kryetari që humbet zgjedhjet parlamentare largohet nga drejtimi i partisë. “Ka thënë për zgjedhje, jo për farsë” – e spërdredh kryetari dhe vendos ai vetë që të mos largohet nga drejtimi i partisë.

Do të bëjmë analizën e humbjes, pastaj do të nisim protestat – deklaroi mbreti i Partisë Demokratike

Nisi në fakt si proces, por foshnja lindi e vdekur. Që në takimin e parë mori dhenë sherri i Mul Nokës me një demokrate, të cilën e përjashtuan nga partia. Pas nja dy takimeve të tjera “mbreti” i futi një shartim analizë – protestë duke prodhuar llagapin “foltore”. Ky marifet qe një zgjidhje për të shpëtuar njëkohësisht nga analiza dhe nga protesta. Në foltore vazhdon dhe akuzohen “hajdutët”, “narkoshteti” etj dhe ngrihet në qiell Mbreti.

Primaret

Në kurorën tradhëtare dhe antidemokratike të Mbretit ndaj Partisë shkëlqen fort tallja me primaret. U shit si një formulë demokratike, amerikane etj por përfundoi në tallje mendere kur rezultati i primareve u hodh në halé dhe në listat e sigurta për kuvendin e ri Mbreti futi veç oborrin.

Dhe vijmë tek protestat e “kilometrit të fundit”

2026 – a nisi me protesta. Për çfarë? Për të rrëzuar Edi Ramën! Natyrisht Edi Rama është armiku i shpallur i Shqipërisë. Ashtu siç shqiptarët ishin të vetëdijshëm se armiku i tyre, në vitin 1990, ishte Ramiz Alia. Por atëhere kishte alternativë. Ndërsa sot, alternativë është një individ i tejkonsumuar politikisht, i shpallur “non grata” për korrupsion në dëm të demokracisë me këto motivacione:

“Përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm” (significant corruption)
Akuza për:
Shpërdorim të pushtetit publik për përfitime personale
Ndërhyrje në procese publike
Minim të institucioneve demokratike dhe besimit të publikut

Dhe në këto kushte, pyetja vjen vetiu: Përse kemi të njejtën gjellë bajate çdo rradhë? Nis me fjalime, vazhdon me zjarr ( që s’djeg asgjë ), pasohet me gaz lotsjellës dhe mbyllet me deklarata të ndërsjellta për dhunë.

KURRË, NË ASNJË RAST , MBRETI DHE OBORRTARËT NUK KANË DHËNË ASNJË ALTERNATIVË. AS PËR NDRYSHIME NË PARLAMENT, NËDAÇ PËR ATO NË PARTI

…sepse qëllimi është pikërisht “të lëvizim gjithçka për të mos ndryshuar asgjë”. Koha rrjedh dhe sjell me vete zgjedhjet. Këtu shfaqet kapitulli i fundit qesharak, diktatorial dhe antidemokratik i Mbretit të PD bashkë me oborrin dhe kurtizanet, kapitull që as në diktaturë të Enver Hoxhës s’qe parë:

PËRJASHTIMI NGA KANDIDIMI PËR KRYETAR I …”TË VETËPËRJASHTUARVE”!

Një term skizofrenik, i stilit “kryengritje paqësore”, shfaqet në garën për kryetar të Partisë Demokratike. Ata që kanë vendosur emrin në listën e kandidatit për kryetar, përveç Sali Berishës… janë vetëpërjashtuar!

Pra mbreti dhe oborri me kurtizanet, si fillim nuk ka besim as të pranojë anonimë të tipit Alesia Balliu. Së dyti, nuk ka as besim e as respekt tek familja e tij politike. Së treti, ajo parti nuk ka më asgjë demokratike, përveç emrit. Është prona private e Mbretit dhe menca e oborrtatëve dhe kurtizaneve.

Në garën mes Saliut, Saliut, Saliut dhe Saliut, Saliu do të fitojë. Dhe kjo e kthen në të keqe më të madhe se Edi Rama, sepse ky vret çdo shpresë dhe ndrydh çdo mundësi ndryshimi.