Kush “e vrau” Pader Toplanën, kleriku me frymëzim prej Fishte dhe Pllumi?

Dje, në rrjete sociale, qarkulloi fuqishëm fjala e një kleriku, le ta quajmë “rebel”, Ndue Toplana. Pader Ndoi njihet si luftëtar për mbrojtjen e kishës së Shna Noit në Laç nga tjetërsimi me një projekt aspak konvencional. Për shkak se ngriti zërin, e larguan nga ajo famulli.

Dje kleriku françeskan u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë në Perëndim që të kthehen në atdhe dhe ta dëbojnë politikën djallëzore, trashëgiminë e Luciferëve Enver Hoxha e Ramiz Alia, siç tha ai.

Por ç’ndodhi? Padren “e vranë”! Po po! Me stilin luciferian: duke e injoruar dhe heshtur sa më shumë të jetë e mundur. Asnjë media zyrtare apo portal nuk u mor as me mesazhin dhe as me faktin që një njeri i Zotit lëshon një apel shpirti për shpëtimin e vendit të tij.

Përmbledhtas, mesazhi i Pader Ndue Toplanës është ky:

“Po vuajmë prej 35 vjetësh nga kjo “demokraci komuniste”. Jemi të dhunuar prej tyre. Ne po u shkojmë pas atyre që të vetmin qëllim kanë mbrojtjen e pushtetit të tyre dhe pasuritë që u kanë grabitur shqiptarëve.

​Ndërsa ne jemi krejt të pambrojtur. Kjo sepse klasa politike po zbaton pikë për pikë porositë e paraardhësve komunistë: Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, të cilët Pader Toplana i quan “luciferët”.

​Sot, pas 35 vjetësh, askush nuk guxon të dalë në ballë për t’u bashkuar e për të marrë në dorë fatet e kombit shqiptar. Shqipëria ndryshon vetëm kur të bashkohemi të gjithë ne, që kjo klasë politike na ka përjashtuar dhe shpopulluar. Thirrja e klerikut drejtuar emigrantëve është që ata të përdorin shkollimin dhe kulturën e marrë në Perëndim për t’u kthyer në atdhe e për të krijuar një parti popullore shqiptare.

​Duke përmendur Gjergj Kastriotin dhe historinë e tij, Toplana theksoi se na duhen akte konkrete nëse duam që Shqipëria të shpëtohet, të ecë përpara dhe të futet në Europë. “Siç bëri Skënderbeu,” – sugjeron padre – “të kthehen emigrantët e t’i dalin zot vendit.” Sipas tij, klasa e sotme politike nuk e do as Europën, as futjen në BE, për shkak të grabitjeve dhe politikës kriminale e djallëzore që kanë ndjekur gjatë tranzicionit 36-vjeçar.”

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*