Ngjajnë si dy pika uji në pikëpamje dhe qëndrime Arlind Qori me Erion Braçen. Jo nga portreti por nga politika. Të dy kanë artikuluar “oligarkinë” dhe që të dy janë shprehur kundër saj. Të dy janë kundër betonizimit të Tiranës, të dy kundërshtojnë politikat e Ramës dhe që të dy manifestojnë ideologji të majtë, ndryshe nga “rilindja” që është një aglomerat pragmetisht, pa parime ideologjike.
Në kuvend të Shqipërisë që të dy janë, por jo njësoj. Qori është si parti ( Lëvizja “Bashkë” ) por jo ai vetë. Ndërsa Braçe është vetë por gjithnjë e më vetëm.
Lëvizjet e fundit të deputetit socialist ( kërkesa për transparencë publike të votave që ka marrë ndër vite, shtimi i kritikave për qeverisjen dhe shpallja e kandidaturës për kryetar të bashkisë së Tiranës ) janë provokime shumë serioze ndaj opinionit, por sidomos parisë e mbi të gjitha – kryetarit. Burime nga brenda PS bëjnë me dije se në asambletë e degëve që po bën PS, Rama e ka shmangur pothuaj dhunshëm praninë e Erionit në sallë. Në vazhdoftë kështu, çarja përfundimtare është e pashmangshme.
Pra, nëse Erion Braçe ikën nga grupi oarlamentar i PS, bashkimi më i natyrshëm është ne një parti të krahut të majtë, bolshevike madje. Mjafton kaq? Jo! Duhen edhe 5 të tjerë për të formuar një grup parlamentar. A ka 5 të tjerë të gatshëm të lenë Ramën për tu bashkuar me “”Bashkun”?
“Lere dasmën shko për shkarpa” – thotë populli. Të dalësh nga bollëku dhe llastimet e pushtetit për ide që të lenë rrugëve, kjo duket e pamundur. Sidomos për deputetët socialistë të këtij mandati, që e dinë se sa u vlen lëkura. ….. Përveçse, nëse ANIJA PO MBYTET!
Të parët që e ndjejnë janë minjtë. Nëse SPAK do të vazhdojë qetësisht plugimin e dheut të rilindjes , jo vetëm ky pushtet do të bjerë me zhurmë dhe zarar por do të marrë me vete edhe ngrehinën tashmë të rrënuar të Berishës. Me hir a me pahir, në ditën e qametit secili do kërkojë strehë, që të mos e zërë bota përfund. Braçe me shumë gjasa është duke u përgatitur pikërisht për këtë ditë, kur me politikën shqiptare të ndodhë ajo që ndodhi me “Duart e pastra” në Itali, kur , nga shembja e Partisë Socialiste dhe asaj Demokristjane u formuan forca të tjera politike. S’është aspak çudi që me të të shkojnë edhe të tjerë.

Leave a Reply